Videopodcast

The Doctor Who Met God Once

The Doctor Who Met God Once

In the episode of this podcast I will talk with the most famous Albanian in Madrid. He is the Albanian neurosurgeon Kita Sallabanda.

Transcribed interview

Mira Kazhani: Doctor Kita, thank you! I'm so glad I finally met you.

Dr. Kita Sallabanda: It's a pleasure that I'm here with you and a pleasure for all this wonderful team that has come all the way to Madrid to have this meeting.

Mira Kazhani: Nuk është sakrificë të vish në Madrid. Madje që nga aeroporti, në metro, në taksi kemi dëgjuar muzikë. Edhe po mendoja, meqë do të flas me një neuro-kirurg, e di që nuk është pjesa e parë e punës tuaj, e profesionit tuaj, po dua të di çfarë i shkakton trurit të njeriut - se ju jeni doktor i trurit - të dëgjojë muzikë, të shohë ndërtesa të bukura, të shohë njerëz të qeshur? Si këtu në Madrid!

Dr. Kita Sallabanda: Truri funksionon në bazë të disa qendrave. Ne kemi në gjithë trurin tonë qendra nga të cilat komandohet gjithë aktiviteti, po jo vetëm aktiviteti fizik, edhe aktiviteti emocional. Nëqoftëse jemi në një vend, ose jemi në një moment që dëgjojmë muzikë, zhvillohet në trurin tonë një qendër që është ajo qendër relaksuese. Gjithë atë informacionin që merr ajo qendra e trurit të muzikës bën që truri të relaksohet, që gjithë njerëzit të relaksohen. Pastaj ka tipe muzike, sepse po të jetë një muzikë acaruese, një muzikë që është e shpejtë…

Mira Kazhani: Jo jo, ishte muzikë klasike, e bukur, e lehtë.

Dr. Kita Sallabanda: Prandaj them që ajo bën që truri të qetësohet dhe vetë truri fillon një proces të qetësimit, të relaksimit dhe të menduarit gjëra të mira.

Mira Kazhani: Gjëja e parë që mendon kur vjen në Madrid është kjo energjia e mirë, se përdoret shumë tani termi në anglisht “vibe” i mirë. Pse janë njerëz kaq të qeshur madrilenët?

Dr. Kita Sallabanda: Sepse Madridi është një nga kryeqytetet e Europës që ka më tepër diell. Është një qytete “open”. Njerëzit, sidomos madrilenët janë njerëz me një mendje shumë të hapur. Janë njerëz që krijojnë shumë shpejt kontakte, midis tyre, por edhe me njerëz që vijnë nga jashtë. Spanja në krahasim me shumë shtete europiane mund të jetë e përafërt me Greqinë nga mënyra se si jetojnë spanjollët. Spanjollët jetojnë jashtë dyerve të shtëpisë. Jetojnë në rrugë, në bare, në lokale, në kinema, në teatër. Domethënë jeta e spanjollëve bëhet jashtë dyerve të shtëpisë. Është shumë e rrallë të shikosh një spanjoll që të të ftojë për darkë ose drekë në shtëpi. E kanë më gëzueshëm të të ftojnë të dalësh përjashta, të pish atë që quhet aperitiv, pastaj të shkosh të hash drekën ose darkën dhe pastaj të dalësh nëpër qytet.

Mira Kazhani: Si e shpjegon? E kanë në ADN-ë apo është një kulturë që e krijoi një mbret i caktuar, a një periudhë e caktuar e jetës këtu?

Dr. Kita Sallabanda: Shumë interesante si pyetje! Unë mendoj që është kulturë mesdhetare, se prandaj e krahasova me Greqinë dhe Greqia për mendimin tim me sa e njoh unë ka një jetë jashtë. Njerëzit janë jashtë qytetit.

Mira Kazhani: Po në kafene dhe ata!

Dr. Kita Sallabanda: Edhe nuk di të ta shpjegoj, por mua më duket është gjaku latin. Gjaku latin në përgjithësi ajo që i bën njerëzit të jenë më të gëzueshëm, më optimistë, më të qeshur, më të kontaktueshëm. Të ndërthuren me njëri-tjetrin. Gjaku latin është shumë i rëndësishëm.

Mira Kazhani: Ndihesh me fat që ke gjak edhe spanjoll? Se ju nuk jeni vetëm shqiptar, jeni dhe nga fshati i mamasë, që është spanjolle nëna juaj.

Dr. Kita Sallabanda: Ndihem me fat! Mamaja ime thoshte gjithmonë që ajo kishte menduar që përzierjet, shartimet midis racave ose popullsive të ndryshme gjithmonë do të nxirrnin një produkt më të mirë. Ajo ankohej që produkti nuk ishte kaq i mire, sepse mendonte që do të ishte më i mirë nga kombinimi i një spanjolli me një shqiptare, por unë mendoj që jam me fat!

Mira Kazhani: Po si e priste nëna juaj? Si quhej?

Dr. Kita Sallabanda: Margarita!

Mira Kazhani: Margarita, emër i bukur!

Dr. Kita Sallabanda: Margarita Diaz Gregoria, Margarita Diaz Vincente! Gregoria Margarita, sepse gjithmonë spanjollët kanë Gregoria që është emri i Pagëzimit, Margarita qe emri i saj, Diaz është emri i babait dhe Vincente që është emri i nënës. Po ta shikoni edhe unë kam emrin Kita Sallabanda Diaz. Sallabanda është emri i babait, dhe Diaz është emri i nënës dhe kemi kombinim të dy emrave.

Mira Kazhani: Si u njoh nëna me babain?

Dr. Kita Sallabanda: Uhh, histori shumë e bukur! Histori shumë e bukur që unë dikur kam patur menduar t`i them mamasë time që të shkruajë mbi këtë histori, sepse është me të vërtetë… Në Spanjën e viteve `35-`36-`37-`38 ka qenë në atë që quhet “Lufta civile spanjolle” që u bë midis qeverisë Republikane dhe diktatorit Franko që bënë grusht shteti në atë kohë. Është shumë komplekse kjo historia e luftës civile spanjolle, por në mënyrë definitive mamaja ime është nga veriu i Spanjës. Ka lindur në Tolosa. Tolosa dikur ka qenë kryeqyteti i Volscae-s dhe duke qenë në veri të Spanjës dhe ishte pjesa republikane e spanjollëve, gjatë Luftës Civile, shumë fëmijë spanjollë që ishin nga mosha 8 deri në 11 vjeç, është mosha që ishte nëna ime në atë kohë, në vitin 1937, ajo ka lindur në `26-ën. I marrin dhe i çojnë në Francë, në Angli dhe në Rusi. Pjesa e fëmijëve që vajtën në Francë dhe në Angli u kthyen kur mbaroi Lufta Civile, ndërsa pjesa e fëmijëve që vajtën në Rusi dhe që i takoi nënës time nuk u kthyen, qëndruan sepse fitoi Franko. Qeveria Ruse ishe kundër qeverisë Frankiste, nuk kishte marrëdhënie diplomatike në fillim dhe ata fëmijë ngelën, një grup i madh, kanë ngelur shumë me qindra fëmijë spanjollë në Rusi atëherë, në Bashkimin Sovjetik. Në vitet `50 e ca qeveria e Frankos lejon që të kthehen një pjesë e këtyre fëmijëve, por këta kishin mbaruar universitetet. Nëna ime mësoi rusishten. Mbaroi universitetin. Ishte nga spanjollet e para që kishte universitet. Mos harroni që në vitin 1953 kur nëna ime mbaron universitetin në Spanjë, gra me universitet kishte me gishta dhe ishin shumë të njohura. Universitetet ishin kryesisht vetëm për meshkujt, nuk ishin për femrat, gjithë koncepti konservator i Spanjës. Kështu që në ato vite nënës time i thonë që të kthehet dhe ajo pyet: “Mirë unë jam inxhiniere, çfarë do të bëj në Spanjë? I thonë që do të punosh të pastrosh shtëpi, sepse ne nuk kemi punë për inxhiniere femra. Ishte inxhiniere tekstil. Atëherë nëna ime vendosi definitivisht mos të kthehet në Spanjë. Kishte njohur në Moskë gjatë studimeve babain tim. Babai im kishte vajtur nga Shqipëria në Moskë për të studiuar.

Mira Kazhani: Nga Berati?

Dr. Kita Sallabanda: Jo, nga Tirana. Është e vërtetë që ne jemi me familje nga Berati, por babai në atë kohë jetonte në Tiranë dhe mund ta quash nga të duash. Nuk kishte rëndësi. Ishte mbas lufte dhe babai shkon për studime në Rusi dhe aty janë në të njëjtin fakultet me mamanë. Në vitin `53-`54 mamaja ime vendos që të shkojë në Shqipëri me babain tim dhe aty të krijojë jetën e saj. Punonte në Kombinatin Stalin, nëse e keni dëgjuar ndonjëherë që ekzistonte në Tiranë.

Mira Kazhani: Po! Unë po. I përkas brezit që e kujtoj.

Dr. Kita Sallabanda: Atje punonte inxhiniere në një nga fabrikat më të mëdhaja të tekstilit në Shqipëri.

Mira Kazhani: E deshi Shqipërinë Margarita?

Dr. Kita Sallabanda: Shumë! Thoshte një shprehje shumë të bukur që unë e kam thënë përsëri që: “Spanja është atdheu im, Shqipëria është shtëpia ime”!

Mira Kazhani: O sa e mirë, e vërtetë!

Dr. Kita Sallabanda: Është një shprehje shumë e bukur dhe unë kur më thërrasin në Berat para 2 vitesh për të më dhënë titullin “Qytetar i Nderit të Beratit” e përktheva këtë dhe thashë që…

Mira Kazhani: Ke thënë “vice versa” ma merr mendja.

Dr. Kita Sallabanda: “Vice versa” dhe thashë që “Shqipëria është atheu im, Spanja është shtëpia ime”. Po nëna ime e ka dashur shumë Shqipërinë. Ajo vdiq në moshë të kaluar, 94 vjeç.

Mira Kazhani: Në Shqipëri?

Dr. Kita Sallabanda: Jo, vdiq në Spanjë, por gjithmonë deshi që të kthehej, të kthehej në Shqipëri që ta shikonte dhe në moshën 90-vjeçare ishte hera e fundit që e pa Shqipërinë. Bënte ato udhëtimet me avion, vinte, kishte shumë dashuri.

Mira Kazhani: Po sa aktive dhe sa në formë. Interesante Margarita!

Dr. Kita Sallabanda: Nëna ime është “baske”. Duhet të dini që “basket” në Spanjë kanë një karakteristikë, quhen si njerëzit më me karakter dhe gratë “baske” quhen gra me karakter shumë të fortë.

Mira Kazhani: Po që nga zgjedhjet që ka bërë duket!

Dr. Kita Sallabanda: Po…

Mira Kazhani: Më mbeti mendja, pse nuk mendonte që nuk mjaftonte kombinimi tek ty për shembull?

Dr. Kita Sallabanda: Se thoshte se kemi dalë të këqinj, i deshte më të mirë!

Mira Kazhani: Këtu ka bërë tipike si prind shqiptar!

Dr. Kita Sallabanda: Deshte diçka më të mirë, por që unë mendoj që ajo ishte e gëzuar për dy fëmijët, për mua dhe vëllain tim. Po e thoshte gjithmonë këtë shprehjen që shartimet gjithmonë nxjerrin produkte më të mira.

Mira Kazhani: Edhe vajza juaj besoj është një produkt i mirë.

Dr. Kita Sallabanda: Është një produkt i mirë. Vajza ime është onkologe. Punon këtu me mua në Institut. Një pjesë të jetës së saj e bën në Institut, një pjesë në një qendër tjetër. Ne punojmë bashkë.

Mira Kazhani: Ndërkohë që po më tregoje për nënën, Margaritën po mendoja për këtë rolin e fatit se sa ndikon në jetët tona. Pavarësisht aftësive, pavarësisht talentit, ndoshta dhe punës që bëjmë për të arritur diçka, fati ka rolin e vet. Ti nuk luan dot me të. Ai të lë në Rusi, pastaj të çon në Shqipëri, ju ndërkohë përveç talentit dhe aftësive tuaja si mjek, keni pasur fat. Për shembull, unë dua ta tregojmë pak historinë në 1992-shin kur në një spital në Spanjë mbërrin një grua e aksidentuar. Aty qëllon një mjek roje që është shqiptar. E aksidentuara është motra e Mbretit Felipe.

Dr. Kita Sallabanda: Shiko, po të thoja që unë këtë e kisha parë diku në ëndërr përpara se të ndodhte? Isha shumë kurioz që e kisha parë dikur në ëndërr që do të vinte një ditë dhe do të takoja vajzën e mbretit të Spanjës. Dhe një ditë, është histori shumë e bukur, do ta tregoj sepse kjo ka ndodhur në Barcelonë. Unë gjatë viteve `89-`94 studioja për neuro-kirurgji në Barcelonë.

Mira Kazhani: Sa vjeç ishit?

Dr. Kita Sallabanda: 28 vjeç isha, studioja për neuro-kirurgji në Barcelonë dhe isha roje. Bëja studimet dhe isha roje. Në atë kohë bëja 12 roje në muaj, sepse ngaqë isha i vetëm në Barcelonë, isha student i ri, ose rezident specializant i ri i neuro-kirurgjisë, desha të mësoja sa më shumë dhe ishte behar, bëja shumë roje dhe një ditë e kishim neuro-kirurgjinë në spitalet “Principe de Espana. Në katin e 9-të që kisha unë dhomën e shërbimit të neuro-kirurgjisë, isha duke lexuar diçka mjekësore. Isha në botën time dhe më marrin në telefon dhe më thonë: “Kita, - më thotë ajo infermierja e urgjencës, kemi këtu Cristina de Borbon që ka goditur kokën”. “Si është?”, i them unë. “Më mirë”! “Po mirë”, - i them unë, presim një çikë” dhe unë vazhdoj të lexoj dhe mbas 5-6 minutave më merr përsëri ajo në telefon infermerja. Po ne kishim shumë marrëdhënie. Kalonim tërë ditën bashkë dhe më thotë: “Dëgjo Kita, ka ardhur Princesha e Spanjës…

Mira Kazhani: Erdha!

Dr. Kita Sallabanda: Jo, jo! I thashë: “Po mirë, le të më presë princesha se jam pak i zënë”, sepse unë kurrë nuk e mendoja që ishte princesha aty poshtë. Mbas nja 3-4 minutash më merr shefi i rojës së spitalit: “Doktor Sallabanda, çfarë po bën atje sipër? Këtu është montuar El cristo”, thonim ne spanjisht. “Po përse?”- i them unë. “Hajde këtu që të shikosh që kam të gjithë policët, radiot, gazetat, të gjithë këtu poshtë, zbrit”- më thotë. Dhe unë me të vërtet zbres dhe atëherë e kuptoj që më të vërtetë kishte ardhur princesha. Po thashë ç`dreqin ka princesha në një spital të Spanjës kështu?! Shkoj atje dhe shikoj në një dhomë, policë, roje. Më fusin në një dhomë dhe shikoj një gocë, Princesha Cristina në atë kohë ka qenë një vajzë shumë e bukur, e gjatë 1.90. e shikoj të shtrirë në një krevat të urgjencës që kishte një goditje në kokë. Ato infermieret po mundoheshin që të mbyllnin plagët dhe një tufë me njerëz. Unë atëherë e mendova që ishte vërtet princesha dhe llafi i parë që kam thënë, mos harroni isha një rezident specializant që vija nga Shqipëria, shikoja Princeshën e Spanjës me një tufë mjekësh dhe thashë: “Të gjithë njerëzit përjashta”. Llafi i parë që thashë, dhe të gjithë njerëzit që ishin atje në sallë: “Të gjithë përjashta”. Ngela unë me princeshën, infermieret dhe me një doktor tjetër. Atëherë unë filloj ekzaminimin. E pyes çfarë të ka ndodhur, si qysh, tek. I mbyll plagën që kishte në kokë. Kisha një dyshim për një koagul gjaku. I thashë do rrish në spital 24 orë. “Aman tha, mos më lër këtu në spital se do kesh gjithë shtypin”. Një gocë e mrekullueshme. Duhet të dini një gjë që Borbon-ëve, që janë dinastia, nuk u flitet me ti. Duhet t`u flasësh gjithmonë me ju. Ata do të flasin ‘ti’ me ty. Është rregull protokollar. Të gjithëv duhet t`u drejtohesh me ju. Ajo m`u drejtua mua me ti dhe unë në mënyrë imediate fillova t`i drejtohem me ti, por ajo as nuk bëri zë fare dhe filluam të bënim një diskutim me ti se unë e ndjeja veten…

Mira Kazhani: Po doktori është Zoti, doktor Kita!

Dr. Kita Sallabanda: Po pikërisht kjo ishte.

Mira Kazhani: Sado princeshë ajo, para shëndetit të saj…

Dr. Kita Sallabanda: Unë e ndjeja veten superior, por mendoni një, mos të them atë shprehjen një m**… Specializanti nga Shqipëria që kishte Princeshën e Spanjës atje. E shtruam. E zbrazëm një kat të tërë edhe e shtruam princeshën. Unë kisha në fakt një mjek spanjoll që mbulonte rojen time, që ishte përgjegjës i rojes dhe nuk erdhi fare. Unë e merrja në telefon dhe ai nuk më përgjigjej. Merrja shefin tim në telefon dhe ata nuk më përgjigjeshin. Kështu që gjithë ngarkesa… Më mori mbreti në telefon…

Mira Kazhani: E ke idenë përse nuk përgjigjeshin ata?

Dr. Kita Sallabanda: Nuk përgjigjeshin. Ishin në punën e tyre.

Mira Kazhani: Shkojmë tek mbreti se aty më pëlqeu kjo fjalia.

Dr. Kita Sallabanda: Mbreti më mori në telefon. Më mori princesha në telefon, Mbretëresha. Më thanë nëse ishte e nevojshme të vinin ata apo të mos vinin ata. Unë u thashë që nuk ka nevojë se princesha është mire. Më thane “të lutem” me shumë thjeshtësi dhe me një komunikim të shkëlqyer.

Mira Kazhani: Keni mbetur miq me Cristina-n? Ke raporte me të?

Dr. Kita Sallabanda: Unë mendoj që disa muaj ngelëm miq, sepse kaluam një natë bashkë. Kemi kaluar një natë të dy. Ajo në një dhomë të shtruar. Unë isha diku më tutje. Kemi bërë muhabete, muhabete, shumë, shumë gjëra me atë dhe të nesërmen në mëngjes kur unë i dhashë daljen nga spitali më thotë: “Dëgjo Kita, mos më shoqëro deri tek dera se do të marrin shpirtin gazetarët”.

Mira Kazhani: Me të drejtë! Ishte e lumtur princesha?

Dr. Kita Sallabanda: Shumë! Ishte një gocë shumë e mirë. Është thjeshtësia mbretërore, thjeshtësia e Borbon-ëve. Kishim një komunikim dhe unë e ruajta, sepse ajo për çdo shqetësim që kishte më merrte ne telefon. I dhimbte koka dhe do më merrte në telefon. Kishte një problem tjetër do më merrte në telefon.

Mira Kazhani: Krijoi një lloj varësie...

Dr. Kita Sallabanda: Një ditë më thotë: Nuk dua të të vij aty tek spitali. Ke një spital privat? I thashë: Unë jam një rezident nga Shqipëria. S`kam një klinikë private dhe pastaj ajo në mënyrë graduale filloi të largohej. Po dërgonim urime për Vitin e Ri, për Krishtlindje dhe pastaj jeta na çoi në …unë u ktheva në Shqipëri. Aty humba kontaktet kur u ktheva në Shqipëri. Me atë i humba totalisht.

Mira Kazhani: Pse u ktheve në Shqipëri?

Dr. Kita Sallabanda: Ishte viti `94. Shqipëria në vitin `94 pati një ndryshim pozitiv pas gjithë atyre viteve që ishin të diktaturës. Pati një gëzim në Shqipëri. Shoqëria shqiptare në ato vite ishte një shoqëri që pati një zhvillim intelektual. Njerëzit që ishin deri asaj kohe të shtypur nga diktatura, filluan të zhvilloheshin. Më vjen një ditë Doktor Mentor Petrela, në një kongres që bëhej në Barcelonë. E marr në shtëpi. Fle tek shtëpia ime në Barcelonë. Natyrisht unë kam ndihmuar shumë shqiptarë që vinin atëherë në Barcelonë dhe flinin tek shtëpia ime se kjo ishte shumë e njohur atëherë në Shqipëri, edhe më thotë Menti: “Kita hajde, sepse kemi nevojë për njerëz të përgatitur. Gjërat kanë ndryshuar. Vendi po zhvillohet. Kështu që kemi nevojë për ty. Dhe unë vendosa të kthehem në Shqipëri. U ktheva në `94-ën. Pastaj definitivisht erdha në Spanjë në 2000-shin.

Mira Kazhani: Pse vendose ta lësh sërish Shqipërinë në vitin 2000? Çfarë ndodhi që nuk të pëlqeu dhe more vendimin? Kishe një rrethanë familjare?

Dr. Kita Sallabanda: Harroni që midis `94 dhe 2000 është `97 dhe `98.

Mira Kazhani: Jo nuk e harrojmë. Unë e kam jetuar. Kam qenë 17 vjeçe.

Dr. Kita Sallabanda: `97 dhe `98 ishin vite shumë të vështira. Pastaj unë kur erdha në Spanjë njoha pjesën tjetër të familjes time. Njoha tezet e mia. Njoha kushërinjtë e mi të parë. Njoha shtëpinë e gjyshit. Njoha shtëpinë e dajave. Familja e nënës time kishte 7 fëmijë. Unë kisha 2 daja dhe 4 teze dhe kisha një tufë me kushërinj të parë.

Mira Kazhani: Me gjysmën tjetër tënden. Është natyrale për ju

Dr. Kita Sallabanda: Me gjysmën tjetër dhe kjo ishte një e drejtë që më buronte nga brendësia e shpirtit tim. Unë kisha jetuar në Shqipëri. Unë kam në Shqipëri historira shumë të bukura. Një jetë shumë komplekse, të vështirë me historira të bukura, të vështira dhe mendova pastaj me gjithë presionin e `97-`98, atëherë unë isha Konsull i Spanjës në Shqipëri, i përjetova shumë keq sidomos për të ardhmen e fëmijës tim dhe u ktheva në Spanjë.

Mira Kazhani: Tani që e mendon në perspektivë pas 23 vitesh, rezident në Madrid, çfarë ndjesie ke me Shqipërinë? Të zë ai malli në ditë të caktuara? Të duket sikur një pjesë e jotja mbetet atje? Ke ndonjëherë ndonjë peng?

Dr. Kita Sallabanda: Unë mendoj që pjesa ime më e madhe ngelet në Shqipëri. Është shumë e çuditshme. Unë mund të mos jem dakord me shumë gjëra të zhvillimit të jetës politike dhe shoqërore, të zhvillimi të vendit, me shumë gjëra në Shqipëri, po mendoj që kam shumë gjëra që lidhen më Shqipërinë. Do t`ju them një episod që më ka ndodhur para 8-9 viteve. Mua më zgjedhin president të disa shoqatave shkencore në Spanjë dhe është shumë e çuditshme siç më thotë një profesor i imi që një emigrant sepse unë në fund të fundit… mua në Shqipëri më quanin spnjolli, në Spanjë më quajnë shqiptari. Është e çuditshme. Në Shqipëri më thërrisnin spanjolli, Xhelal Kurti që ishte shefi i neuro-kirurgjisë atëherë, ose Mentor Petrela më thoshin “spanjolli”. Kurse mua këtu më thonë “shqiptari” dhe kur unë u zgjodha nga spanjollët, president i një shoqate shkencore shumë të rëndësishme të neuro-kirurgëve të Spanjës, më thotë ky profesori im këtu, ai është me origjinë çifute: “Kita, ke merita, sepse është shumë e çuditshme për një emigrant të zgjidhet për të kryesuar një shoqatë shkencore të Spanjës. Po dua të bëj një pyetje: “Çfarë ke bërë për vendin tënd?” Ishte pyetje shumë e drejtë dhe shumë e saktë. Dhe unë në atë kohë fillova të lidh shumë marrëdhëniet me Shqipërinë. Jo vetëm marrëdhëniet miqësore. Fillova të punoj në Shqipëri. Fillova të ndërtoj radio-kirurgjinë në Shqipëri. Është një artikull që ka bërë profesor Petrela në Neuro-Surgery që flet për ndërtimin e neurokirurgjisë shqiptare dhe midis të tjerave e bën atë që unë e kam ndërtuar radio-kirurgjinë në neurokirurgji.

Mira Kazhani: Nuk është e lehtë të ndërtosh një karrierë larg atdheut tënd. Shumëzoje me dy, them unë gjithmonë. Është më e vështirë.

Dr. Kita Sallabanda: Unë do ta kisha shumëzuar me tre, me katër… Duhet të dini që në çdo vend që ti shkon, nëqoftëse nuk ke bërë shkollën e mesme të paktën, shkollën e lartë brenda këtij vendi, që të kesh atë rrethin tënd miqësor, ata shokët e tu – universiteti njëherë është shumë i rëndësishëm – të çash në këtë rreth që kanë krijuar këta, është shumë e vështirë.

Mira Kazhani: Mbetesh i huaj!

Dr. Kita Sallabanda: Mua më quanin shqiptari. Edhe pse këto janë vendet Europiane të zhvilluara, kanë atë rrethin e tyre shoqëror.

Mira Kazhani: Si kudo.

Dr. Kita Sallabanda: Të futesh në rrethin e tyre shoqëror nuk është e thjeshtë. Në këtë pikëpamje, Spanja është më e hapur. Është e ngjashme me Amerikën. Nuk është Franca. Në Francë është shumë e vështirë të çash. Në Itali është shumë e vështirë të çash.

Mira Kazhani: Europa është pak e vështirë.

Dr. Kita Sallabanda: Është shumë e vështirë. Unë jam nga të paktët njerëz që kam Medaljen e Artë të Akademisë Spanjolle të Mjekësisë. Ma dhanë në vitin 2012. Po që Akademia Mbretërore e Spanjës, t`i japë Medaljen e Artë një shqiptari, nuk është pak.

Mira Kazhani: Këto janë raste të rralla.

Ka shumë doktorë nga Shqipëria që po largohen drejt Gjermanisë edhe vendeve të tjera të zhvilluara. Është e drejta e çdokujt të kërkojë një jetë më të mirë, por qoftë edhe të sprovojë veten e tij, ta sfidojë atë. Çfarë këshille iu jepni ju?

Dr. Kita Sallabanda: E the shumë bukur! Unë do ta kthej në mënyrë tjetër. Nga Spanja ikin çdo vit 1700 mjekë.

Mira Kazhani: Ku ikin?

Dr. Kita Sallabanda: Ikin në Francë, në Angli, në Gjermani, në Zvicër, në Suedi. Kemi bërë një relacion në Fakultetin e Mjekësisë, kemi parë në Universitet 17 mijë mjekë kishin ikur për 10 vjet nga Spanja. Domethënë një mesatare, 1700 në vit.

Mira Kazhani: Pse ikin?

Dr. Kita Sallabanda: Për rroga më të mira, për kushte më të mira pune. Spanja sot ka mungesë mjekësh dhe është ajo që neve luftojmë që ta rregullojmë këtë procesin e humbjes së mjekëve. Spanja ka nevojë për mjekë sot. Çfarë po ndodh me Spanjën? Po na ikin mjekët spanjollë dhe ne po marrim mjekë nga Amerika Latina.

Mira Kazhani: Sa është rroga e një mjeku në Spanjë?

Dr. Kita Sallabanda: Në një spital publik, rroga e një mjeku megjithë roje, shkon afërsisht 3 mijë euro, 3200 euro. Po të punosh pasdite, shkon 3400, po nuk shkon më tepër.

Mira Kazhani: Si e kanë jetën këtu mjekët, njerëzit e bluzave të bardha?

Dr. Kita Sallabanda: Spanja ka një gjë interesante, që edhe pse rrogat i ka tek ky nivel, me 3 mijë euro në Spanjë jetohet shumë mirë. Ke shumë gjëra të mbuluara nga qeveria spanjolle, nga shteti. Natyrisht që nuk bën një jetë luksi, por një jetë relativisht të mirë. Mund të kesh një shtëpi luksi. Mund të kesh një makinë. Nëqoftëse punojnë të dy burrë e grua, nuk bën luks, por ke një jetë të rregulluar.

Mira Kazhani: Për mjekët dhe infermierët që duan të largohen nga Shqipëria, çfarë do këshille u jep? Çfarë do t`u thoje? Çfarë i pret në një vend të huaj?

Dr. Kita Sallabanda: Duhet durim, persistencë në punët e tyre. Duhet të jenë ‘umile’, në kuptimin, kur futesh në një vend të huaj, nuk duhet të jesh as mendjemadh, as prepotent. Po të jesh persistent, umil dhe punëtor, gjithmonë çan. Nuk ke për të çarë vitin e parë. Unë erdha në Spanjë në vitin 2000. Isha neurokirurg, punova gati 8-9 vjet si ndihmës neurokirurg dhe në vitin 2010 mora provimin e neurokirurgjisë. Për vite me radhë nuk e kishte marrë asnjëri, unë e marr. Filloj të punoj si neurokirurg specialist. Kisha titullin e mjekut spanjoll, që në vitin ’93 kur punoja në Barcelonë, por nuk kisha titullin e specialistit të neurorirurgjisë. Të marrësh titullin e specialistit të neurokirurgjisë është shumë e vështirë. M`u deshën 9 vjet që të bëja këtë gjë. Dhe mos harroni që unë isha neurokirurg në Shqipëri.

Mira Kazhani: Si ia bëni ju mjekët për të dhënë një lajm të keq? Shpresoj shumë, jo si ne gazetarët!

Dr. Kita Sallabanda: Eh, pyetje e vështirë. Fillojmë ta japim me gjysmë të vërteta. Një mjek kur ndodhet përpara një të sëmuri rëndë gjithmonë duhet të paraprijë se çfarë do ndodhë me këtë të sëmurë. Nëqoftëse flet direkt me këtë të sëmurë, kanë një shprehje spanjollët: Derisa ka jetë, ka shpresë! Dhe këtë gjë, neve ia transmetojmë të sëmurit, sepse kjo është forma më e mirë për t`i transmetuar atë që mund të ndodhë në të ardhmen.

Mira Kazhani: A ke konstatuar ndonjë rast kur ka ndërhyrë Zoti? Edhe kur ke parë që nuk ka asnjë shpresë, ke parë një ndryshim? Ke parë ti në eksperiencën tënde?

Dr. Kita Sallabanda: Kam pasur një rast të bukur? Keni kohë ta tregojmë?

Mira Kazhani: Po, po. Kemi kohë. Na e trego rastin e bukur.

Dr. Kita Sallabanda: Para gjashtë viteve isha roje këtu në neurokirurgji. Isha në shtëpi, se isha roje i lokalizuar. Më merr në telefon specializanti që ishe roje dhe më thotë: Doktor, ka ardhur një vajzë amerikane, një studente që është në koma. Kanë bërë një aksident automobilistik. Ajo kishte dalë natën me shokët dhe shoqet. Në këto baret e Madridit, kur është behar njerëzit dalin në rrugë, duke pirë në trotuar, duke pirë në trotuar dhe në një moment atje, një makinë e merr përpara këtë gocën. Vjen me këmbët e veta në spital dhe aty në spital hyn në koma. Unë shkoj, më thërrasin për të bërë atë që quhet ‘kranitiomia kompresive’, i heq një pjesë të kockës komplet. Se kur bën një aksident, fillon të ketë një ënjtje të trurit dhe është ajo që shkakton vdekjen e trurit. Atëherë që të mos ketë vdekje të trurit, i heq një pjesë të kockës, që trurin ta lësh të lirë. Ishte një vajzë e re, 20-vjeçare. 19 duhet të ishte në atë kohë. I kisha hequr një pjesë të kockës, është standard i kirurgjisë që bëhet. Lihet që truri të ç`ënjtet. Ajo nuk ishte rikuperuar nga kjo gjë. Duke diskutuar me kolegët u thashë që do t`i heq edhe pjesën tjetër të kockës. Ishte një gjë që s`ishte bërë asnjëherë këtu. Ishte një gjë që nuk ishte shkruar në literaturë. Po isha para një situate, ose do të bëja diçka më tepër… në atë kohë kishin ardhur dhe prindërit nga Amerika. I ati ishte stomatolog. E ëma ishte ekonomiste. Erdhi i vëllai. Erdhi ambasadorja amerikane. Ishte një familje shumë e relacionuar në SHBA siç duket. Erdhi edhe ambasadorja, edhe për historinë që ishte një studente amerikane që kishte ardhur… I ati konsultohet me kirurgët në Amerikë. Ata i thonë që është budallallëk. Nuk mund të bëhet operacion se është skandal. Ne nuk e kemi bërë. Më pyet i ati përpara se të futem në sallë: Si të duket? I them: Shiko, nëse s`bëhet ajo do vdesë. Nuk e ka bërë asnjëri. Unë do ta bëj. Ai më tha: Po të ishte vajza jote, do ta bëje? Unë i thashë që po. Është një pyetje shumë e vështirë kur të pyesin: Po të ishte vajza jote, nëna jote, babai yt, vëllai yt… si do ta bëje? Aty mjeku ndodhet në një pozitë shumë të vështirë. Unë i thashë: Po të ishte vajza ime, do ta bëja. Atëherë bëje më thotë. Futem në sallë të operacionit. I heq komplet pjesën tjetër të kafkës. I lë vetëm këtë pjesë sipër. Ishte gjithë kafka jashtë dhe truri u çlirua. Ishte mbështjellë truri me lëkurën. Truri u çlirua. E futën në hipotermi. Ia ulën temperaturën e trupit me ekipin e anestezistëve. E mbajtëm 3 javë në koma dhe mbas tre javëve ajo vajzë u zgjua, u zgjua totalisht. Kaloi nga reanimacioni, shkoi në kat dhe pastaj do t`i vija kockën, sepse truri ishte jashtë. Duhej t`i vija kockën që të vihej në pozicionin e vet. Përpara se të bëja këtë operacion ajo ishte shumë e frikësuar sesi do bëhej operacioni. Më thotë: Unë të dua si babain tim të dytë. U preka jashtëzakonisht shumë. Vendosja e kockës është një operacion po ashtu shumë i vështirë. Se ishin mësuar të gjithë njerëzit të vendosnin kockën nga njëra anë. Po të vendosej kocka nga të dyja anët ishte kompleks si operacion, sepse në të njëjtën kirurgji duhet të kthesh kokën nga njëri krah e nga krahu tjetër. I vendosa të dyja kockat. Ajo u bë shumë mirë. Më ka dërguar fotografitë. I rifitoi të gjithë kapacitetet e saj.

Mira Kazhani: Sot jeton mirë e bukur?

Dr. Kita Sallabanda: Jeton në Çikago. Vitin e kaluar më ftoi në Çikago dhe vajtëm familjarisht.

Mira Kazhani: Kjo është një histori mrekullie…

Dr. Kita Sallabanda: Diku aty ka qenë Zoti…

Mira Kazhani: Ndoshta përmes jush ka gjetur mënyrën.

Dr. Kita Sallabanda: Është gjëja më e bukur që më thotë kjo vajzë, baba. Më thotë, më shkruan ‘baba’. “Nuk e di se kush do më çojë në altar, ti apo babai im”, më thotë. Ajo është shumë e prekur…

Mira Kazhani: Ka shumë të drejtë. Jetën e parë ne e marrim të gjithë ‘for granted’, për të mirëqenë. Po e dyta është më e shtrenjtë. Ajo ka jetën e dytë prej jush.

Dr. Kita Sallabanda: Unë mendoj që këtu më ndihmoi Zoti!

Mira Kazhani: Çfarë ndjen kur e prek trurin?

Dr. Kita Sallabanda: Mundem të jem pak mendjemadh?

Mira Kazhani: Po.

Dr. Kita Sallabanda: Ne neurokirurgët themi që nuk jemi zotër, por jemi ‘semi-dios’. Të prekësh trurin është të prekësh gjithë instrumentët e jetës së një njeriu. Edhe këtë gishtin që unë po lëviz tani, ka një qendër atje në tru që e komandon. Edhe këtë buzëqeshjen që bëni juve, ka një qendër në tru që e komandon. Dhe unë po ta dëmtoj këtë qendër, juve nuk do të keni më buzëqeshje. Kam operuar një të sëmurë që ishte nga Rumania. Ai fliste rumanisht edhe spanjisht. Më duhej të bëja një kirurgji të hapur, thonë në Tiranë është një nga sukseset më të mëdha. Këtu e bëjnë të gjithë. E bëjnë specializantët. Ai duhej të fliste dhe unë duhej t`i hiqja tumorin. Në një moment të caktuar, shikoj që ai nuk fliste spanjisht.

Mira Kazhani: Harroi spanjishten?

Dr. Kita Sallabanda: Po, sepse unë i kisha prekur zonën ku ai fliste spanjisht. Unë ia kisha kontrolluar më përpara këtë zonë ku fliste spanjisht, po në një moment të caktuar nuk fliste spanjisht, por fliste rumanisht.

Mira Kazhani: Çfarë hataje truri!

Dr. Kita Sallabanda: Ngela kështu (habi). Po mendoja ku ishte gabimi im që ai humbi spanjishten dhe fliste rumanisht. E hoqa tumorin. Ai doli mirë nga operacioni dhe mbas nja dy javësh filloi të fliste spanjisht.

Mira Kazhani: Si mendon Dr. Kita, se ju jeni edhe orator edhe i keni qejf këto, biem në dashuri me tru apo me zemër? Truri e urdhëron zemrën apo zemra trurin?

Dr. Kita Sallabanda: Truri e urdhëron zemrën, padyshim. Në çdo gjë që neve bëjmë, edhe në shikimin që bëjmë përcjellim impulse të caktuara. Truri është zemra, por zemra është një pompë. Asnjë gjë tjetër. Zemra është një pompë që pompon gjakun që shkon në pulmone, në tru, në gjithë qarkullimin e truri, asnjë gjë tjetër. Është shumë e rëndësishme. Po ne mund të vëmë një pompë të jashtme.

Mira Kazhani: E kemi poetizuar shumë zemrën.

Dr. Kita Sallabanda: Vëmë pompë të jashtme, kurse truri jo. Truri është jashtëzakonisht kompleks. Është si një organ me multiçips. Me mijëra. Për çdo gjë është shumë kompleks dhe sot e kësaj dite nuk e njohim akoma trurin. Nuk e njohim të vërtetën mbi trurin. Jemi duke e studiuar. Jemi duke e parë, por nuk e njohim në thellësi. Nuk kemi arritur të zbulojmë të tërë mekanizmat e funksionimit.

Mira Kazhani: Askush nuk e gjen përgjigjen e saktë për perfeksionin e neuroneve, për perfeksionin e trurit tonë. Si mund të jetë krijuar.

Dr. Kita Sallabanda: Kemi edhe diçka të mirë, që truri edukohet.

Mira Kazhani: Në ç`kuptim edukohet? Mund të bëhemi inteligjentë? Mund të bëhet truri pak më i zgjuar?

Dr. Kita Sallabanda: Jo. Jo. Edukohet në funksionet motore, në funksionet e jetës së përditshme, por inteligjenca është problem i brendshëm i atyre fijeve, ndërlidhjeve midis korteksit edhe trurit. Për shembull neve lëvizim dhe flasim me dorën e djathtë, shkruajmë me dorën e djathtë. Neve kemi kapacitet që shkrimin me dorën e djathtë, ta kthejmë me dorën e majtë. Ky është kapaciteti që neve mund të edukojmë trurin. Sepse kemi një hemisferë që është dominante, e krahut të majtë dhe hemisferën komplementare është ështe ajo e krahut të djathtë.

Mira Kazhani: A dallon një tru inteligjent nga një tru normal, mesatar, injorant?

Dr. Kita Sallabanda: Jo.

Mira Kazhani: Nga forma e kam fjalën.

Dr. Kita Sallabanda: Dallohet një tru i përpunuar. Neve kemi ca cerculacione të kortekseve cerebrale. Sa më shumë korteks cerebral të kemi, aq më tepër inteligjent jemi dhe sa më pak korteks cerebral të kemi, aq më pak inteligjent jemi. Kjo dallohet kur kanë hapur trurin e njerëzve shumë të zhvilluar në botë kanë parë që këta kanë tru me volum më të madh se normal dhe me më tepër cerculacione.

Mira Kazhani: Ka gjini truri? Truri i grave, truri i burrave?

Dr. Kita Sallabanda: Jo, nuk ka.

Mira Kazhani: Nuk është se meshkujt kanë diçka tjetër në tru dhe gratë e kanë ndryshe?

Dr. Kita Sallabanda: Nga ana funksionale kanë, po nga ana anatomiko-organike jo. Është e njëjtë.

Mira Kazhani: Je natyrë optimiste. Ku po shkon mjekësia? Do të bëhet mjekësia shumë shpejt zgjidhja e të gjitha problemeve shëndetësore dhe a ka kura… Se gjithmonë është kjo teoria konspirative: Është kura e kancerit, por nuk duan ta tregojnë.

Dr. Kita Sallabanda: Mjekësia është zhvilluar jashtëzakonisht shumë kohët e fundit. Neve po shkojmë drejt mjekësisë molekulare. Çfarë do të thotë mjekësi molekulare? Po i studiojmë të gjitha sëmundjet në nivel të geneve, të molekulës dhe trajtimet tani nuk bëhen në bazë të asaj që duket nga sëmundja. Për shembull gripi duket me temperaturë, me rrufë, edhe neve japim aspirinë, analginë, ibuprofren për të ulur. Kjo është ajo që sheh në sëmundje. Tani kemi filluar ta studiojmë gripin jo në shfaqjen e tij, por në burimin e tij. Në nivelin gjenetik, qelizor të virusit, si futet virusi, si ta ndalojmë futjen e këtij virusi dhe ta studiojmë këtë. Kanceri, për 10 vjet, unë besoj do të arrij si kirurg, ndoshta nuk do të operojmë tumore malinj, se do t`i trajtojmë me mjekime. Jemi futur në nivel qelizor. Të gjitha trajtimet që po bëjmë tani i quajmë trajtime “minimamente invasive”. Kjo duhet të shkojë edhe në Shqipëri, se nuk ka arritur akoma. Në Shqipëri bëhet mjekësia standarde. Një nga gjërat e bukura që pashë në Spanjë është sesi zhvillohet mjekësia me ritme shumë më të shpejta, sesa zhvillohet në vendin tonë për x apo y rrethanë. Kemi vajtur drejt mjekësisë “minimamente invasive”. Për shembull, kam një nga teknologjitë më të përparuara në botë për trajtimin e sëmundjeve të trurit. Çfarë bëj unë me atë? Unë bëj të njëjtin funksion që bën kirurgjia, por pa e hapur kokën. Domethënë unë mund të zhduk një metastazë të trurit, pa e hapur kokën. E zhduk. Nuk them, jo gjysma, jo… E zhduk një metastazë të trurit pa hapur kokën. Mund të zhduk një malformacion, që mos ta shohësh më. Pikërisht me këtë teknikë. Më përpara, të gjithë operoheshin. Kemi arritur në këtë fazë që shumë sëmundje që deri tani kishin një trajtim standard, analginë, aspirinë, kortizonik, kirurgji, për 10 vjet unë mendoj që sëmundjet malinje, të të gjithë malinjitetit të kancerit, do trajtohen në nivel celular dhe nuk do trajtohet as me kirurgji dhe as me trajtime standarde.

Mira Kazhani: A keni frikë nga sëmundjet?

Dr. Kita Sallabanda: Kam.

Mira Kazhani: Nga cila për shembull më shumë?

Dr. Kita Sallabanda: Nga demenca. Demenca është sëmundja që unë kam më tepër frikë, sepse demenca është të kesh një njeri që jeton, por nuk arsyeton. Është një njeri apo qenie pa tru dhe neve na karakterizon nga kafshët çështja e arsyetimit.

Mira Kazhani: Ka një mënyrë për ta parandaluar?

Dr. Kita Sallabanda: Po punojmë edhe për këtë. Ka studime. Kam një kolegen time që merret me studimin e demencës dhe të sëmundjeve të trurit, edhe po punojmë edhe për këtë që ta ndalojmë në nivel qelizor.

Mira Kazhani: Çfarë pasionesh ke Dr. Kita, përveçse t`i japësh makinës shpejt?

Dr. Kita Sallabanda: Muzika. Më pëlqen muzika latine. Më pëlqen të kërcej muzikën latine. Më pëlqen muzika klasike dhe më pëlqen të udhëtoj. Jam i apasionuar mbas detit. Deti është dëshira ime e madhe. Më pëlqen shumë të hipi në varkë. Kam miqtë e mi që kanë anije.

Mira Kazhani: Ku jeton këtu?

Dr. Kita Sallabanda: Unë jetoj këtu në qendër të Madridit, por kam një shtëpi që është në Alikante dhe sa çohem në mëngjes gjithmonë shikoj detin. E kam detin mu përballë. Javën tjetër do iki atje për shembull.

Mira Kazhani: Intervistën e së ardhmes të vijmë ta bëjmë në Alikante. Duhet të na kishe ftuar atje, buzë detit.

Dr. Kita Sallabanda: Do jetë një gjë shumë e bukur.

Mira Kazhani: Shumë faleminderit Dr. Kita! Ishte një bisedë me muzikë do të thoja. Siç na ka nisur ky udhëtim për në Madrid.

Dr. Kita Sallabanda: Faleminderit juve!

The Doctor Who Met God Once

The "Zë me Miran" podcast was supported by Credins Bank and Vodafone Albania

*The right to repost is prohibited without the permission of the editor

Any misrepresentation of facts online will be prosecuted